EIB GLOBAL INVESTON 20,3 MILIONË EURO NË ARSIMIN NË MAL TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Banka Evropiane e Investimeve (EIB Global) ka ndarë 20,3 milionë euro për përmirësimin e sektorit të arsimit në Mal të Zi.

Marrëveshja u nënshkrua në fillim të korrikut në Luksemburg nga nënkryetari i EIB, Robert de Grot, ministri i financave Novica Vukoviq dhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit Angjella Jakshiq Stojanoviq.

Nga kjo shumë, 18 milionë euro janë kredi, ndërsa 2,3 milionë janë fonde të pakthyeshme për asistencë teknike përmes UNOPS-it. Investimet do të përfshijnë renovimin dhe modernizimin e 13 institucioneve arsimore dhe pajisjen e mbi 500 shkollave me teknologji digjitale.

Ky projekt pritet të krijojë 530 vende pune për mësimdhënës me kohë të plotë dhe të përmirësojë kushtet e të mësuarit për mbi 11.500 nxënës.

Gjithashtu, do të zgjerohet kapaciteti shkollor për 1.700 nxënës të rinj brenda dy viteve.

De Grot theksoi se ky investim synon edhe përputhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe përmirësimin e punësimit të të rinjve.

Ai përmendi si shembull pozitiv shkollën e re “Vlladimir Nazor” në Podgoricë, e cila ofron standarde moderne të mësimdhënies dhe efikasitet energjetik.

EIB Global, ka investuar deri tani gjithsej 55 milionë euro në arsimin në Mal të Zi. Gjithashtu, pritet hapja e një përfaqësie të EIB në vend, për të rritur bashkëpunimin dhe për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Malit të Zi.

SHARE