Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar qëndrimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, duke thënë se Trump ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të Serbisë në Kosovë, transmeton Anadolu.
Presidentja Osmani, e cila po qëndron në SHBA, gjatë një ligjërate në Universitetin “John Hopkins” në Washington, tha se, siç ka thënë presidenti Trump, ka “përpjekje të vazhdueshme për destabilizim” nga Serbia në Kosovë.
Osmani po ashtu tha se presidenti Trump ishte i qartë që “ishte vet ai që ndaloi Serbinë në përshkallëzimin e situatës në Kosovë” dhe, sipas saj, kjo kishte të bënte për raste të javëve të fundit dhe jo për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona”.
“Pra, është e qartë që ka një përpjekje të vazhdueshme për destabilizim nga fqinji ynë verior i cili fatkeqësisht jeton në të kaluarën, vazhdon t’i shohë fqinjët si shtete të përkohshme, si një strategji tipike ruse dhe Serbia vazhdon të luajë nën ritmin e Putinit. Pra, ne duhet të punojmë sa më shumë me partnerët tanë në SHBA dhe Bashkimin Evropian për parandalimin dhe ndalimin e këtyre synimeve”, tha Osmani.
Në mes të qershorit të këtij viti, presidenti Trump kishte përmendur ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve.
Në ligjëratën e saj, Osmani ka lavdëruar rolin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) për punën në siguri dhe stabilitet, derisa ka shtuar se nëse presidenti Trump dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, duan që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, atëherë kjo mund të bëhet e mundur.