Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria në mbledhjen e 89-të, të kryesuar nga zv/kryeministri për marrëdhënie ndërkombëtare Ervin Ibrahimoviq, miratoi Projektligjin për legalizimin e objekteve pa leje, bashkë me raportin nga debati publik.
Ligji ka për qëllim të përshpejtojë dhe eficientojë procesin e legalizimit dhe të ndalojë ndërtimet e mëtejshme pa leje, duke ruajtur kështu hapësirat e kufizuara të Malit të Zi.
Zbatimi i ligjit pritet të ruajë hapësirën si burim më të vlefshëm të vendit dhe të rrisë të ardhurat e komunave përmes taksave dhe tarifave të ndryshme që do të shfrytëzohen për përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësinë e jetesës.
Ligji përcakton saktësisht procedurat dhe përgjegjësitë për legalizimin e objekteve, duke përfshirë regjistrimin në katastër brenda 6 muajve, kufizime për objekte që nuk lejohen të legalizohen, si dhe mënyrën e legalizimit të objekteve në zona të mbrojtura.
Njësitë lokale trajtojnë objekte deri në 500 m², ndërsa administrata shtetërore do të merret me objekte më të mëdha dhe ato në zona të mbrojtura.
Gjithashtu, ligji trajton standardet për qëndrueshmërinë statike dhe sizmike, rregullon procedurat për pronësinë e tokës dhe detyrimet e zyrës katastrale, duke eliminuar mundësinë e certifikimit nga revizorë privatë.
Pas përfundimit të legalizimit, nuk kërkohet përshtatja e pamjes së jashtme të objektit. Për më tepër, pronarët e objekteve pa leje në tokën shtetërore duhet të regjistrojnë pronat brenda 6 muajve nga publikimi i thirrjes, përndryshe objektet do t’i kalojnë pronës shtetit.
Katastri është i detyruar të shënojë ndalesa për shitje ose veprimtari ekonomike në objektet pa procedura regjistrimi brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.