Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se Rusia ka refuzuar të gjitha propozimet për paqe dhe ka përshkallëzuar dhunën, transmeton Anadolu.
Zelenskyy foli në hapjen e Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës, që po mbahet në kryeqytetin e Italisë, Romë.
Duke vënë në dukje se ushtria ruse vazhdon sulmet e saj intensive ajrore në vendin e tij, Zelenskyy tha se: “Mbrëmë, ata lëshuan më shumë se 700 dronë dhe raketa. Sonte, ata do të lëshojnë rreth 400 të tjerë (raketa dhe dronë)”.
Zelenskyy, mbrojti idenë se qëllimi i Rusisë është të detyrojë popullin ukrainas të largohet nga shtëpitë e tyre dhe këto sulmi ai i cilësoi si “sulme terroriste”.
“Tani të gjithë e shohin se (Presidenti rus Vladimir) Putin ka refuzuar të gjitha propozimet për paqe dhe ka përshkallëzuar dhunën”, u shpreh Zelenskyy.
Zelenskyy, iu bëri thirrje vendeve aleate të investojnë në prodhimin e armëve në Ukrainë. “Unë u bëj thirrje të gjithë partnerëve tanë të rrisin investimet e tyre. Kur Rusia intensifikon sulmet e saj, ne nuk duhet të përjetojmë më probleme financimi për prodhimin e dronëve”, tha ai.
Duke kujtuar se aleatët e kanë furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë F-16 dhe Mirage, Zelenskyy tha: “Ukraina ka fituar aftësi moderne të aviacionit luftarak dhe po i zhvillon ato. Kjo është një ndihmë e madhe dhe ne e arritëm këtë në kohë rekord. Asnjë vend tjetër nuk ka kaluar kaq shpejt nga avionët sovjetikë në F-16 dhe Mirage. Falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan”.
Zelenskyy theksoi gjithashtu nevojën për të investuar në infrastrukturën energjetike të Ukrainës. “Më shumë se 500 kompani janë të pranishme në konferencë. Përafërsisht 200 marrëveshje me vlerë totale mbi 10 miliardë euro janë gati për t’u nënshkruar. Të gjitha këto duhet të zbatohen plotësisht. Ju lutem, le të përqendrohemi edhe te energjia”, tha Zelenskyy.
Presidenti ukrainas vuri në dukje nevojën për të vazhduar përpjekjet për të kthyer në shtëpitë e tyre fëmijët ukrainas të rrëmbyer me forcë në Rusi.
Zelenskyy bëri të ditur se Ukrainës i duhet një plan i ngjashëm me “Planin Marshall” për zhvillim, ndërsa shtoi se: “Ne duhet ta zhvillojmë këtë së bashku”.