Komisioni Evropian ka bërë të ditur se do t’i ndajë 2.3 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën që të rindërtohet pas dëmit që i është shkaktuar nga lufta e Rusisë.
Në fonde përfshihen 1.8 miliard euro si kredi dhe 580 milionë euro si grante prej institucioneve ndërkombëtare dhe institucioneve për financim publik, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë në Romë, duke folur për planet për rindërtim të Ukrainës.
Konferenca është mbajtur teksa qindra dronë rusë dhe dhjetëra raketa e kanë goditur Kievin në orët e hershme të mëngjesit, duke vrarë dy persona.
Në takimin e mbajtur në kryeqytetin italian, Ukraina ka kërkuar ndihmë urgjente nga partnerët.
Fondi prej 2.3 miliardë eurosh është pjesë e Kornizës për Investime në Ukrainë, e cila sipas von der Leyenit i mbledh rreth 10 miliardë euro për investime në Ukrainë.
Ajo ka bërë të ditur për krijimin e një fondi të ri aksionar për rindërtim të Ukrainës, të përkrahur nga Banka Evropiane e Investimeve, Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia.
Me një kapital fillestar prej 22 milionë eurove, fondi synon t’i mbledhë 500 milionë euro deri më 2026, ka bërë të ditur Komisioni Evropian.