Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë shkëmbyer ide të reja në lidhje me bisedimet për paqe në Ukrainë, pas një takimi që pati me homologun e tij rus të enjten në Malajzi.
“Mendoj se është një qasje e re dhe ndryshe”, u tha Rubio gazetarëve pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Nuk do ta cilësoja si diçka që garanton paqe, por është një koncept që, e dini, do t’ia paraqes presidentit”, shtoi ai.
Rubio nuk dha më shumë hollësi rreth kësaj.
Ai shtoi se presidenti Donald Trump ka qenë “i zhgënjyer dhe i zemëruar që nuk ka pasur më shumë fleksibilitet nga pala ruse” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Na duhet të shohim një plan të qartë se si mund të përfundojë ky konflikt. Dhe, ne ndamë disa ide se si mund të duket ai”, tha Rubio për takimin 50-minutësh me Lavrovin.
“Do të vazhdojmë të angazhohemi aty ku shohim mundësi për të bërë ndryshim”, theksoi ai.