MINISTRJA JAKSHIQ STOJANOVIQ: LIGJI I RI GARANTON MBROJTJE DHE CILËSI NË ARSIM

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në mbledhjen e Komisionit për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Sport, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq Stojanoviq, prezantoi Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin, me synim rritjen e sigurisë dhe cilësisë së sistemit arsimor.  

Një nga ndryshimet kryesore është mundësia për largimin e përkohshëm të mësimdhënësve nga klasa në rast se ka kallëzim për ngacmim seksual ndaj nxënësve apo punonjësve, deri në përfundimin e hetimit. Gjatë kësaj kohe, mësimdhënësi do të angazhohet në punë të tjera sipas kualifikimeve të tij, duke ruajtur pagën.

Projektligji parashikon ndalimin e çdo forme dhune në shkolla dhe detyrimin për ndjekje penale apo kundërvajtëse të autorëve. Parashikohen gjithashtu rritje e numrit të psikologëve dhe pedagogëve në shkolla, si dhe futja e librave digjitalë dhe përmbajtjeve për mbrojtje nga dhuna dhe siguri kibernetike.

Ndryshimet përfshijnë edhe të drejtën e pezullimit të marrëdhënies së punës për drejtorët gjatë të dy mandateve, për të ruajtur vazhdimësinë në punë, dhe përmirësim të kritereve për përzgjedhjen e mësimdhënësve, duke marrë parasysh notën mesatare, kohën e pritjes për punësim dhe përvojën e punës.  

Ministrja theksoi rëndësinë e përgjegjësisë së prindërve dhe forcimin e masave ndaj drejtorëve që nuk respektojnë ligjin, veçanërisht në rastet e veprave penale kundër lirisë seksuale.

Deputetët e përkrahën projektligjin dhe kërkuan hartimin e akteve nënligjore dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit në praktikë.

Në fund, u theksua nevoja për tërheqjen e kuadrove të rinj e cilësorë dhe për forcimin e institucioneve arsimore.

SHARE