MILLATOVIQ: ALEANCA ME SHBA-në KA VLERË TË VEÇANTË PËR MALIN E ZI

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një rëndësi të veçantë strategjike për Malin e Zi, veçanërisht në kohët sfiduese për demokracinë dhe sigurinë globale.

Këto komente ai i bëri gjatë një pritjeje zyrtare në Podgoricë, me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

Millatoviq e cilësoi këtë ditë si një festë të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, duke e vlerësuar trashëgiminë e Deklaratës së Pavarësisë amerikane si një burim frymëzimi për shumë kombe, përfshirë edhe Malin e Zi.

Ai theksoi se edhe populli malazez ka qëndruar historikisht në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, dhe pikërisht kjo ndjenjë lirie ka ndërtuar miqësinë afatgjatë mes Malit të Zi dhe SHBA-së.

Presidenti vlerësoi kontributin e SHBA-së në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e sundimit të ligjit në Mal të Zi, duke e cilësuar këtë mbështetje si të paçmuar.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë që ka anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, si një garanci për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Millatoviq e krahasoi aleancën me SHBA-në me idealet e ëndrrës amerikane, duke e lidhur atë me synimin e Malit të Zi për integrim të plotë në Bashkimin Evropian, si një “ëndërr evropiane” e vendit të tij.

Ai falënderoi SHBA-në për përkrahjen ndaj këtij procesi dhe e cilësoi atë si një shprehje të identitetit historik dhe kulturor të Malit të Zi.

Në fund, Millatoviq rikujtoi 120-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe theksoi se ato nuk mbështeten vetëm te institucionet, por te njerëzit…studentët, sportistët, akademikët dhe krijuesit që ndërtojnë ura bashkëpunimi.

Ai u shpreh i bindur se kjo miqësi do të vazhdojë të thellohet në frymën e paqes, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

SHARE