I NXEHTË FERRI, SHKRIHET AUTOSTRADA NË ITALI / ‘ÇMENDET’ TERMOMETRI, 100 VIKTIMA NË SPANJË

I nxehti afrikan ka përfshirë kontinentin evropian, me temperatura që pritet të arrijnë 40 dhe 41 gradë Celsius në Itali.

Në Bolzano, sipas ekspertëve, janë regjistruar 10 ditë radhazi me temperatura mbi 35 gradë Celsius dhe 10 net me temperaturë minimale prej 20 gradësh.

Përvëlimi ka shkaktuar, orët e fundit, dy viktima në Sardenjë dhe një tjetër në Xhenova.

Ndërkohë, janë raportuar probleme edhe me qarkullimin rrugor, pasi asfalti në autostradën që lidh Venecian me Milanon është shkrirë për shkak të temperaturave të larta.

Si pasojë, autoritetet kanë mbyllur përkohësisht një segment të autostradës.

Mediat italiane raportojnë gjithashtu se të paktën 102 persona kanë humbur jetën gjatë valës së parë të të nxehtit ekstrem të këtij viti, që nisi të shtunën e kaluar në Spanjë.

Sistemi i monitorimit të vdekshmërisë në vend ka dhënë këtë shifër alarmante, ndërkohë që vazhdon gjendja e alarmit për të nxehtin ekstrem në 12 nga 17 rajonet e Spanjës.

Autoritetet kanë paralajmëruar për temperatura ekstreme dhe stuhi të forta lokale.

Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, në Spanjë janë regjistruar të paktën 380 vdekje si pasojë e temperaturave të larta.

Viktima nga i nxehti janë shënuar edhe në vende të tjera, përfshirë Francën, ku dy persona raportohet të kenë humbur jetën, ndërsa 300 të tjerë janë shtruar në spital.

Pjesa më e madhe e Evropës është në alarm, ndërsa zjarret në pyje detyruan mbylljen e një reaktori bërthamor në një impiant energjie në Zvicër.

Italia ka shpallur alarme të kuqe për 18 qytete, ndërsa në Gjermani, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa zona, çka mund të shënojë edhe ditën më të nxehtë të vitit.

Në anën tjetër, Turqiae cila prej ditësh po përballet me zjarre në disa fronte ka raportuar se flakët janë vënë kryesisht nën kontroll. Bashkë me përvëlimin, janë regjistruar edhe stuhi të dhunshme në Alpet franceze.

Shkencëtarët theksojnë se valët e të nxehtit kanë mbërritur më herët këtë vit, duke rritur temperaturat me deri në 10 gradë Celsius në disa rajone.

Ndërkohë, ngrohja e deteve po çon në krijimin e një “kupole të nxehti” mbi pjesën më të madhe të Evropës, duke bllokuar lëvizjen e masave ajrore dhe duke përforcuar më tej temperaturat ekstreme.

SHARE