Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Madrid me ftesë të Mbretit të Spanjës, Felipe VI, u takua me sovranin spanjoll në pallatin mbretëror, duke vlerësuar këtë takim si një moment historik në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun të Presidencës u njoftua se ky është takimi i parë bilateral në histori ndërmjet një zyrtari të lartë të Malit të Zi dhe Mbretit të Spanjës.
“Kam pasur një bisedë shumë përmbajtësore me Mbretin e Spanjës, Felipe VI, dhe sot kemi hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Spanjës. E falënderova Mbretin për mbështetjen e fuqishme që Spanja i jep Malit të Zi në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe e informova për qëllimin tonë ambicioz, por realist, që Mali i Zi të bëhet anëtari i radhës i BE-së në vitin 2028,” deklaroi Millatoviq.
Ai shtoi se në takim u diskutua gjerësisht për forcimin e bashkëpunimit:
“Me takimin e sotëm e kemi ngritur dialogun politik në nivelin më të lartë. Diskutuam gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, për investimet spanjolle, për hapësirat për bashkëpunim mes komuniteteve tona të biznesit, dhe u pajtuam që organizimi i një forumi ekonomik në të ardhmen e afërt do të ishte një hap përpara në këtë drejtim.”
Presidenti Millatoviq gjithashtu e ftoi Mbretin Felipe që të vizitojë Malin e Zi në të ardhmen e afërt.
“Biseduam edhe për hapjen e një qendre kulturore spanjolle në Mal të Zi „Instituti Cervantes“ dhe kërkova mbështetjen e Mbretit edhe në këtë drejtim. Diskutuam për rëndësinë e hapjes së një ambasade spanjolle në Podgoricë. Mali i Zi ka hapur ambasadën e saj në Madrid që nga viti 2017, dhe u pajtuam se hapja e ambasadës spanjolle në Podgoricë do të ishte një hap i mëtejshëm drejt forcimit të marrëdhënieve tona dypalëshe.”