Mbi Lumin Ibër, i cili ndan pjesën veriore me shumicë të popullatës serbe me atë jugore me shumicë shqiptare të qytetit të Mitrovicës, u vendosën gurthemelet për dy ura të reja, njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete.
Në vendosjen e gurthemeleve të këtyre urave mori pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe të tjerë.
Në fjalën e tij pas vendosjes së gurthemeleve, kryeministri në detyrë Kurti tha se është gjithmonë për ura të bashkëpunimit dhe këto ura tregojnë përkushtimin që ndërmjet veriut dhe jugut të ketë sa më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbime.
“Këto dy ura, të cilat janë në dy anët e urës kryesore mbi Ibër, njëra prej tyre do të jetë edhe për automjete e këmbësorë, ndërkaq tjetra do të jetë vetëm për këmbësorë. Ajo që do të jetë për automjete dhe këmbësorë është e gjatë 51 metra, e gjerë 10 metra, me ç’rast nga 1,5 metër trotuar i ka në të dyja anët. Ndërkaq, kjo ku jemi tash këtu, do të jetë vetëm për këmbësorë me gjatësi 41 metra, ndërsa gjerësi 37 metra”, theksoi Kurti.
I pyetur se a po fillon ndërtimi i këtyre urave në koordinim me Bashkimin Evropian, i cili ka kërkuar që Kosova të mos marrë veprime të njëanshme në veri dhe në koordinim në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Kurti tha se ai është kryeministër i Kosovës dhe gjithçka që bën “është në përputhje me planet tona, sipas ligjit dhe për të mirën e gjithë qytetarëve”.