KUVENDI I KOSOVËS SHËNON DËSHTIMIN E 40-të PËR KONSTITUIM

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as pas përpjekjes së 40-të me radhë, për shkak të mungesës së votave për votimin e kryetarit të Kuvendit, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 100 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 51 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

“Ndërpritet seanca, shihemi përsëri më 3 korrik në orën 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Më 28 qershor u zhvillua një takim midis krerëve të partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një konsensusi politik për formimin e institucioneve të reja, por, pa rezultate konkrete.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

SHARE