Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Marash Dukaj, MSc, Ministër i Administratës Publike
Dita Ndërkombëtare e Administratës Publike është një rast për të folur rreth qëllimit tonë, pra për një administratë publike efikase dhe të depolitizuar që ndjek tendencat moderne dhe u shërben qytetarëve dhe ekonomisë.
Në këtë drejtim, do të thoja se e lamë pas pjesën më të madhe dhe më të vështirë. Do të flasim këtu për atë se sa shumë arritje kemi realizuar së bashku dhe çfarë na mbetet ende për të bërë.
Por, para kësaj gjëje, është e nevojshme të përmendim atë që është padyshim suksesi më i madh, ajo që u jep kuptim dhe qëndrueshmëri përpjekjeve që po bëjmë.
Arritja jonë më e madhe është besimi i ndërsjellë midis nesh dhe partnerëve tanë. Dhe partnerët tanë janë të gjithë ata me të cilët punojmë së bashku si për reformat, ashtu edhe për transformimin e shoqërisë. Institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, institucionet tona të administratës qendrore dhe lokale, ekspertët tanë dhe të huaj, sektori civil, komuniteti akademik dhe i IT-së, mediat dhe, natyrisht, qytetarët – për të cilët dhe për mbështetjen e të cilëve po i ndërmarrim të gjitha këto veprime.
Marrëdhënia e partneritetit dhe besimi tek partnerët eliminon barrierat e dallimeve të ndërsjella dhe hap rrugën që ne të vazhdojmë drejt një qëllimi të përbashkët përmes një shkëmbimi të hapur idesh dhe përvojash. Do t’ju kujtoj disa ngjarje dhe aktivitete të rëndësishme, të cilat së bashku i përfunduam me sukses vitin e kaluar, dhe të cilat i dhanë administratës publike një vrull të ri dhe të fortë reformues, në kuptimin e plotë të kësaj fjale.
Ne vepruam në mënyrë sistematike, duke hartuar ligje të rëndësishme nga spektri i punës së Ministrisë tonë, me qëllim depolitizimin, optimizimin dhe racionalizimin e administratës publike, e kjo në përputhje të plotë me standardet evropiane.
Ne kemi përfunduar ligjet për nëpunësit civilë, për qasjen e lirë në informacione, dhe veçanërisht e rëndësishme është ajo që për herë të parë ne kemi tani Ligjin për Qeverinë…
Ne hapëm derën për transformimin dixhital dhe vendosëm themele të mira për modernizimin e administratës publike. Ne krijuam portalin e ri të E-Administratës, shërbime të reja elektronike, EDM-të, CA, GSB dhe kryem aktivitete të tjera të rëndësishme në drejtimin e dixhitalizimit të plotë të administratës publike. Ne kemi krijuar një portal të të dhënave të hapura.
Ne kemi përgatitur të gjitha kushtet paraprake, domethënë ato ligjore, logjistike dhe partneritetit,për formimin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike, detyra e së cilës do të jetë mbrojtja në hapësirën dixhitale e infrastrukturës kritike, ekonomisë dhe qytetarëve. Ne e kemi përcaktuar qartë këtë gjë në Ligjin për Sigurinë e Informacionit, të cilin ne, si shteti i vetëm në Rajon, e kemi harmonizuar me standardin evropian, domethënë me Direktivën NIS 2. Ne krijuam kushtet paraprake për të ngritur mbrojtjen kibernetike në një nivel shumë më të lartë, sepse vetëm një shtet i sigurtë në aspektin dixhital mund të zhvillojë funksionalitet të qëndrueshëm. Ndërkohë që Ministria e përfundoi pjesën e saj të punës më shumë se gjysmë viti më parë, hapat e mëtejshëm në këtë plan varen nga Qeveria.
Ne formuam Ekipin e Reagimit ndaj Incidenteve Kibernetike (CIRT) (Cyber Incident ResponseTeam) dhe Qendrën Qeveritare të Operacioneve të Sigurisë (GSOC) (Government SecurityOperations Center). Ne, së bashku me partnerët tanë, krijuam Qendrën Rajonale për Sigurinë Kibernetike (WB3C), duke i dhënë kështu shtetit tonë atë që i nevojitet më shumë, pra mundësinë për t’u bërë një qendër për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira nga e gjithë bota.
Për Axhenda e Qeverisë për Reformimin, ne përfunduam, në tetë muaj, të gjitha detyrimet që kishte Ministria jonë.
Decentralizimi, që përbën masën e demokratizimit, është një nga qëllimet tona kryesore drejt të cilit kemi përshkuar tashmë një pjesë të madhe të kësaj rruge.
Ne kemi përgatitur një Ligj të ri për Vetëqeverisjen Lokale, i cili sjell një sërë përparimesh thelbësorë demokratikë me qëllim që vetëqeverisjet lokale të jenë të qëndrueshme dhe funksionale.
Ne e ngritëm bashkëpunimin me komunat në nivelin më të lartë përmes Memorandumit “Komunat për BE-në”, ku specifikuam detyrimet e Ministrive kryesore dhe autoriteteve të pushtetit lokal.
Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, ne i ndihmojmë komunat të përgatiten për transformim dhe zhvillim të përshpejtuar dixhital.
Së bashku me ekspertë nga institucionet përkatëse të kësaj fushe si edhe me sektorin civil, ne përgatitëm Projektligjin për Zgjedhjet Lokale dhe e dërguam atë në Kuvend. Me këtë, ne dhamë një kontribut konkret në reformën e legjislacionit zgjedhor, i cili është një nga temat më të rëndësishme politike, që është thelbësor për rrugën e mëtejshme evropiane dhe demokratike të Malit të Zi.
Rezultatet tona janë të njohura edhe përtej kufijve të Malit të Zi. Në Estoni, që është një nga pionierët dixhitalë në botë, Mali i Zi u shpall përfushën e sigurisë kibernetike “Partner i Vitit ’25”.
Ne jemi institucioni i vetëm në Mal të Zi që mori statusin e përdoruesit efektiv të modelit CAF.
Ne kemi nënshkruar tashmë disa marrëveshje bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë. Ne kemi qenë nikoqirë të zyrtarëve të lartë të huaj, siç janë – Presidentja e Komisionit Evropian, Zëvendësja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, si edhe Presidentët e Republikave të Çekisë, Estonisë dhe Moldavisë… Të gjithë ata janë të interesuar të dinë se sa larg kemi arritur në fushën e sigurisë kibernetike, sepse hapësira kibernetike është, si të thuash, një dhe e pandashme.
Sukseset na kënaqin, por nuk duhet të biem në gjumë për këtë gjë. Ka ende shumë punë përpara nesh për të bërë. Megjithatë, unë jam optimist.
Kjo gjë nuk është vetëm një historik i Ministrisë së Administratës Publike, por edhe për një sistem partneriteti të bazuar në besim, për një sistem që mëson, përshtatet dhe zhvillohet. Ky është një tregim se si një shtet që dëshiron të bëjë më shumë, dhe që i ka mundësitë ta bëjë këtë gjë, i arrin qëllimet e veta dhe i radhit sukseset. E kjo pa politizim, pa tension të panevojshëm, pa kundërshtim me çdo kusht, pa ju dhënë përparësi interesave të ngushta politike…
Rezultatet tona të përbashkëta janë dëshmi se vetëm me besim të ndërsjellë të plotë, ne mund të arrijmë standardet evropiane dhe marrim në kontroll me sukses fazën e fundit në rrugën e gjatë drejt BE-së, e kjo jo si një qëllim politik, por kryesisht si një kornizë vlerash dhe qytetërimi, në të cilën qytetari dhe shoqëria, pra interesi publik, janë në vend të parë.
Unë, si ministër, falënderoj pa masë të gjithë partnerët dhe bashkëpunëtorët, si dhe të gjithë personelin e Ministrisë.
Le të vazhdojmë të ecim së bashku!