Foto: predsjednik.me
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ndodhet për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, me ftesë të homologut të tij, Jakov Millatoviq. Ai u prit në Villa Goricë me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Pas pritjes zyrtare, presidentët Duda dhe Millatoviq nënshkruan librin e mysafirëve, mbajtën takime dypalëshe dhe të delegacioneve, dhe më pas dhanë deklarata për media. Në shenjë simbolike, të dy liderët mbollën “drurin e miqësisë” në oborrin e Villa Goricës. P
residenti Duda, në shoqërinë e Millatoviqit, gjithashtu vendosi një kurorë lulesh në Monumentin e Partizanit luftëtar në malin Gorica.
Nga Kabineti i Presidentit të Malit të Zi është theksuar se kjo vizitë konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, si dhe përbën një mbështetje të fortë për aspiratat evropiane të Malit të Zi, me synimin për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2028.
Në konferencën për shtyp, Presidenti Millatoviq falënderoi Poloninë dhe Presidentin Duda për mbështetjen e vazhdueshme të rrugës evropiane të Malit të Zi.
Ai vuri në dukje kontributin e Presidencës polake të Këshillit të BE-së, në kuadër të së cilës Mali i Zi do të mbyllë kapitullin 5 të negociatave javën e ardhshme.
Sidoqoftë, Millatoviq paralajmëroi se kjo nuk është e mjaftueshme, duke kërkuar përmirësim të bilancit të rezultateve për të realizuar afatet e përcaktuara.
Millatoviq gjithashtu nënvizoi se Duda është i 11-ti president i një vendi anëtar të BE-së që viziton Malin e Zi që nga fillimi i mandatit të tij, duke e konsideruar këtë si dëshmi të qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së politikës së jashtme të vendit.
Ai shtoi se bashkëpunimi dypalësh është i fortë, veçanërisht në fushën e turizmit, ku Polonia përfaqëson një treg me potencial për rritje të fuqishme.
“Polonia nuk është vetëm partner dhe aleat, Polonia është mik i yni”, deklaroi Presidenti i Malit të Zi.
Nga ana e tij, Presidenti Duda shprehu bindjen se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së deri më 2028 dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve.
Ai ftoi qytetarët malazezë të vizitojnë Poloninë, duke e cilësuar atë si një vend mikpritës dhe tërheqës.
Duda deklaroi se mezi pret të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të NATO-s në Hagë, dhe theksoi rëndësinë e rritjes së buxheteve për mbrojtjen si dhe të forcimit të marrëdhënieve transatlantike.
Në përmbyllje, ai propozoi që Mali i Zi të jetë nikoqir i një samiti të ardhshëm të Iniciativës së Tre Detëve, duke u shprehur i kënaqur që vendi është pjesë aktive e këtij forumi.