Një takim ndërkombëtar i nivelit të lartë ka nisur në Gjenevë, me synimin për të ndalur përshkallëzimin e rrezikshëm të armiqësive midis Izraelit dhe Iranit dhe për të frenuar rrezikun e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Në këtë përpjekje diplomatike dy-javore, që pritet të jetë intensive dhe delikate, marrin pjesë disa nga përfaqësuesit kryesorë të diplomacisë evropiane: Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noël Barrot, dhe homologu i tyre gjerman, Johann Wadephul.
Ata po zhvillojnë bisedime të ndërlikuara me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, me fokus në programin bërthamor të Teheranit dhe mundësitë për të ndalur ciklin e përshkallëzimit ushtarak.
Në takim merr pjesë gjithashtu edhe përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke shtuar peshën e ndërhyrjes ndërkombëtare në këtë proces delikat.
Takimi në Gjenevë vjen në një moment tejet të tensionuar, vetëm një javë pas shkëmbimit të goditjeve mes Izraelit dhe Iranit – përfshirë sulme izraelite ndaj objekteve ushtarake dhe bërthamore iraniane dhe kundërpërgjigjen e Teheranit përmes sulmeve hakmarrëse.
Diplomatët e përfshirë e cilësojnë këtë raund negociatash si një hap kyç drejt shtensionimit të situatës dhe si një përgatitje e rëndësishme për samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të zhvillohet javën e ardhshme në Hagë.
Siguria në Lindjen e Mesme pritet të jetë ndër temat kryesore të diskutimit atje, në një kohë kur rreziku për destabilizim rajonal është në rritje.