PËR TË 34-tën HERË ME RADHË DËSHTON KONSTITUIMI I KUVENDIT TË KOSOVËS

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as në përpjekjen e 34-të me radhë, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për votimin e kryetarit të këtij institucioni legjislativ, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, ashtu sikurse nga 1 maji, propozoi krijimin e komisionit “ad-hoc” për votimin e fshehtë të pozitës së kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 51 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër ndërsa abstenime nuk pati.

“Nuk kemi kuorum, atëherë shihemi më 21 qershor në orën 10:30”, tha kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.

SHARE