IRANI BOMBARDON TEL AVIVIN / PËRGJIGJET IZRAELI, SHBA GATI TË NDËRHYJË

Sulmet mes Iranit dhe Izraelit po vazhdojnë me intensitet të lartë. Gjatë natës, Irani lëshoi disa raketa balistike drejt Izraelit, duke goditur katër zona të ndryshme.

Një prej raketave goditi spitalin e madh Soroka në jug të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe rrezik shembjeje, sipas ekipeve të shpëtimit në terren.

Sulmet nuk u ndalën me kaq. Në mëngjes u raportua një valë tjetër prej 20 raketash, që goditën drejtpërdrejt ndërtesa në Tel Aviv, Holon dhe Ramat Gan.

Bilanci i fundit flet për të paktën 22 të plagosur, mes tyre tre në gjendje të rëndë.

Në përgjigje, Izraeli ka ndërmarrë një sulm ndaj reaktorit të ujit të rëndë në Arak, Iran.

Televizioni shtetëror iranian konfirmoi sulmin, duke sqaruar se centrali ishte evakuuar paraprakisht dhe nuk ka rrezik për rrjedhje rrezatimi.

Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se SHBA po përgatitet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake kundër Iranit në ditët në vijim, me gjasë gjatë fundjavës.

Të njëjtat media shkruajnë se Presidenti Donald Trump, sipas burimeve për mediat amerikane ka shprehur gatishmëri për të miratuar një plan ushtarak ndaj Iranit, por ka theksuar se do të presë momentin e duhur për të marrë vendimin përfundimtar.

Ai shpreson që presioni i sulmeve të përbashkëta me Izraelin do të bindë Teheranin të tërhiqet nga programi i tij bërthamor.

SHARE