Në Shqipëri ka filluar sot procesi i rinumërimit të votave, pas vendimit për rinumërim në disa qarqe, për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 11 maj, raporton Anadolu.
Procesi i rinumërimit të votave do të realizohet në kuadër të procesit të ankimimeve në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KAS), pasi ky vendim është marrë nga dy prej anëtarëve të KAS-it pas pretendimeve për parregullsi.
Rinumërimi do të bëhet për të gjithë Qarkun e Tiranës dhe Qarkun e Fierit, si dhe për dhjetëra kuti votimi për Qarkun e Durrësit, përfshirë edhe kuti për votimin nga jashtë dhe për dy bashki të Qarkut të Elbasanit.
Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë janë ngritur grupet e rinumërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ), ndërkohë sot ka filluar procesi i hapjes së kutive të materialeve zgjedhore dhe kutive të fletëve të votimit të bashkive Peqin dhe Gramsh të Qarkut të Elbasanit.
Pasi të përfundojë procesi për dy bashkitë e Qarkut të Elbasanit, do të fillojë numërimi për Tiranën.
Nga gjithsej 5.225 qendra votimi në të gjithë vendin, sipas KQZ-së janë 2.323 qendra të votimit në total që do jenë pjesë e procesit të rinumërimit, përfshirë 85 kutitë nga votimi jashtë vendit.