SHQIPËRI, MBAHET MINISTERIALI I PROCESIT TË BASHKËPUNIMIT TË EVROPËS JUGLINDORE

Në Tiranë është mbajtur Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), duke u mbledhur së bashku drejtues dhe përfaqësues të ministrive të jashtme, si dhe zyrtarë të tjerë nga vendet anëtare të nismës, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij hapëse të ministerialit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, u shpreh se SEECP mbetet një platformë dhe një hapësirë politike ku të gjithë pjesëmarrësit kanë një zë të barabartë.

“Kjo mbledhje nuk është vetëm një rast formal, por është një mundësi e vlefshme për të reflektuar për ku jemi, të harmonizojmë vizionet tona dhe të ecim përpara me energji të ripërtërirë. Mblidhemi bashkë në kohëra transformimesh të thella për rajonin tonë, një kohë e shënjuar nga sfida konstante e mundësi të mirëfillta: është përshpejtimi i integrimit ekonomik dhe hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Hasani.

Ai shtoi se gjatë viteve të fundit bashkëpunimi mes vendeve të nismës është bërë më kuptimplotë, më strategjik dhe më i harmonizuar me politikat e BE-së.

Hasani theksoi se Shqipëria ka qenë një anëtare e përkushtuar e këtij procesi dhe shtoi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në udhëtimin e vet transformues.

“Me çeljen e grupkapitujve Shqipëria është në rrugën e duhur për të çuar përpara procesin e anëtarësimit (në BE). Synimi ynë është ambicioz, por unë mendoj edhe i arritshëm për të çelur të gjithë grupkapitujt deri në fund të këtij viti dhe për mbylljen e negociatave deri në 2027. Po punojmë me vendosmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade”, tha Hasani.

Duke folur mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, Hasani u shpreh se “Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga tensionet e përshkallëzuara në Lindjen e Mesme. Sidomos përballjet e fundit mes Izraelit dhe Iranit paraqesin një rrezik serioz për stabilitetin më të gjerë rajonal me pasoja globale”.

Sot gjithashtu do të mbahet në Tiranë edhe samiti i kryetarëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të nismës nga Shqipëria, ku do të marrë pjesë edhe kryediplomati turk Hakan Fidan.

Shqipërisë ka kryesinë e radhës të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (SEECP) për periudhën qershor 2024-korrik 2025, ndërkohë presidencën e radhës të nismës do ta marrë Bullgaria.

SEECP është një nismë rajonale që synon të krijojë një atmosferë besimi, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet.

Pjesë e nismës janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Rumania, Serbia, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Sllovenia.

SHARE