Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se për arritjen e një marrëveshje me Serbinë trysnia duhet të jetë mbi Beogradin, transmeton Anadolu.
Kurti në një deklarim për media pas vënies së gurthemelit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në qytetin e Shtimës, tha se Kosova ka një marrëveshje me Serbinë e cila sipas tij po shkelet nga Serbia.
“Unë besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat paraqesin aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special në tri fusha kryesore, e para është mbrojtja, e dyta diplomacia dhe e trata është zhvillimi”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri Kurti tha se për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, është e domosdoshme që Serbia të plotësojë tre kushte: të dorëzojë Milan Radoiçiq tek autoritetet kosovare, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen Bazike me Aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht ta tërheqin letrën nga dhjetori i vitit 2023 kur ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq pati thënë se nuk e respekton integritetin territorial Kosovës.
Duke folur për ngecjen në formimin e institucioneve të reja, Kurti tha se Kosova ka qeveri, e cila është qeveri në detyrë, por sipas tij ajo çfarë Kosova nuk ka është parlamenti.
Kurti tha se çdoherë shkon në seancë për konstituimin e Kuvendit, por, “ata që vijnë për ta bojkotuar Kuvendin, nuk e di pse vijnë”.
Edhe më shumë se katër muaj që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, në Kosovë ende nuk është konstituuar Kuvendi, gjë e cila më pas do t’i hapte rrugë formimit edhe të qeverisë së re.