Izraeli ka kërcënuar banorët e Teheranit, duke thënë se do të “paguajnë çmim” pasi raketat iraniane goditën Tel Avivin dhe Haifën, duke vrarë tetë persona.
Shërbimet e emergjencës të Izraelit thanë se 23 persona kanë vdekur që kur nisën sulmet iraniane më 13 qershor, pasi Izraeli kreu sulme ajrore ndaj caqeve ushtarake dhe bërthamore në mbarë Iranin. Autoritetet iraniane thanë se nga sulmet izraelite janë vrarë të paktën 224 persona.
Raketat iraniane goditën disa ndërtesa banimi dhe disa raketa ranë afër Konsullatës amerikane.
“Banorët e Teheranit do të paguajnë çmim dhe do ta paguajnë shpejt”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, duke e akuzuar Iranin se qëllimshëm po godet ndërtesa banimi.
Në ditën e katërt të përplasjes mes Iranit dhe Izraelit, në Izrael është raportuar edhe për më shumë se 100 të plagosur.
Shpërthime të fuqishme, që me gjasë janë shkaktuar nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore që kanë goditur raketat iraniane, u dëgjuan në Tel Aviv pak pas agimit më 16 qershor, teksa mbi qytet u panë shtëllunga të mëdha tymi.
Gjatë fundjavës, të dy shtetet përshkallëzuan sulmet, duke rritur frikën se kjo përplasje mund të zgjerohet në një luftë rajonale edhe më të rrezikshme.
Irani ka njoftuar se ka lëshuar afër 100 raketa dhe është zotuar se do të vazhdojë sulmet hakmarrëse, pas goditjes së infrastrukturës së tij ushtarake dhe bërthamore nga Izraeli.
Ushtria izraelite bëri të ditur se, në përgjigje të sulmeve iraniane, avionët luftarakë kanë goditur dhjetë qendra komanduese në Teheran që i përkisnin Forcës Kuds, një njësi elitë e Gardës Revolucionare të Iranit që kryen operacione ushtarake dhe të inteligjencës jashtë territorit iranian.
Autoritetet në qytetin izraelit Petah Tikva thanë se raketat iraniane kanë goditur një ndërtesë banimi.
Shërbimi i emergjencës në Izrael raportoi se dy gra, dy burra dhe një person tjetër u vranë gjatë sulmeve me raketa që goditën katër lokacione në pjesën qendrore të vendit.