KOMISIONI I VENECIAS: KUVENDI ËSHTË DASHUR TË RESPEKTOJË PROCEDURËN NË RASTIN GJURANOVIQ

Foto: Këshilli i Evropës

Parlamenti i Malit të Zi është dashur të respektojë procedurën që kërkon njoftim formal nga Gjykata Kushtetuese për plotësimin e kushteve për përfundimin e funksionit të Dragana Gjuranoviq në atë institucion gjyqësor, ka vlerësuar Komisioni i Venecias (KV), shkruan “Vijesti”.

Komisioni i Venecias ka qenë i kujdesshëm në draftin e opinionit për këtë procedurë dhe nuk është futur në interpretimin nëse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese i plotësojnë kushtet për pensionim sipas Ligjit për Punën apo Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor.  

Në draft thuhet se, edhe nëse legjislacioni në fuqi nuk përmban rregulla të gjera mbi konfliktin e interesit dhe përjashtimin, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të tregojnë përmbajtje, “duke pasur parasysh nevojën që Gjykata Kushtetuese si garant i Kushtetutës të funksionojë si një institucion demokratik”.

Drafti i opinionit pritet të shqyrtohet në seancën plenare të Komisionit të Venecias që do të mbahet sot dhe nesër. Mbi draftin mund të paraqiten amendamente.

Parlamenti e ka konstatuar përfundimin e funksionit të Dragana Gjuranoviq në fund të vitit të kaluar, mbi bazën e përfundimit të Komisionit për Çështje Kushtetuese, meqë ajo i kishte plotësuar kushtet për pensionim sipas rregullores të Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor.

SHARE