Edhe kur janë bërë 31 përpjekje me radhë, Kuvendi i Kosovës, mbetet ende i pakonstituuar për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për votimin e kryetarit të këtij institucioni legjislativ.
Kryesuesi i seancës, ashtu sikurse nga 1 maji, propozoi krijimin e komisionit “ad-hoc” për votimin e fshehtë të pozitës së kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.
Nga 80 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 47 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
“Nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës, ndërpritet seanca dhe shihemi më 15 qershor në orën 11:00”, tha kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.