Izraeli ka nisur një fushatë të paprecedentë ushtarake ndaj Iranit, duke shënjestruar programin bërthamor dhe udhëheqësit e lartë ushtarakë të vendit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se sulmet do të zgjasin për disa ditë dhe kanë për qëllim eliminimin e kërcënimit që përbën Irani për sigurinë kombëtare të Izraelit.
Në mesin e viktimave është edhe Gjenerali Hossein Salami, komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, një nga figurat më të fuqishme në strukturat ushtarake iraniane.
Netanyahu konfirmoi se objektivat përfshinin impiantin kryesor të pasurimit të uraniumit, shkencëtarë bërthamorë dhe qendra të zhvillimit të raketave balistike iraniane.
Ai e cilësoi operacionin si thelbësor për të penguar ambiciet bërthamore të Teheranit.
Teherani pretendon se sulmet prekën edhe zona të banuara në kryeqytet dhe shkaktuan viktima civile, përfshirë fëmijë, por këto raportime nuk janë verifikuar.
Shtetet e Bashkuara mohuan çdo përfshirje në operacion.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA-të nuk kanë ndihmuar Izraelin dhe se përparësia e tyre mbetet mbrojtja e forcave amerikane në rajon.
Megjithatë, Irani ka akuzuar SHBA-në për mbështetje të drejtpërdrejtë. Izraeli ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në pritje të kundërpërgjigjes së Iranit, duke rritur ndjeshëm rrezikun e një përshkallëzimi rajonal në Lindjen e Mesme.