THEMELOHET META-REGJISTRI I RI; DUKAJ: NJË HAP I MADH DREJT MODERNIZIMIT TË ADMINISTRATËS PUBLIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka deklaruar se themelimi i Meta-Regjistrit të ri përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës publike.

“Me kënaqësi të madhe ju njoftoj se kemi themeluar me sukses Meta-Regjistrin – një softuer i ri dhe një komponent kyç i sistemit tonë të unifikuar për shkëmbimin elektronik të të dhënave, i njohur si GSB,” u shpreh Dukaj në një deklaratë për mediat.

Siç sqaroi ai, Meta-Regjistri përfaqëson një katalog qendror që lidh më shumë se 100 regjistra elektronikë, sisteme informacioni dhe shërbime në internet nga institucione të ndryshme.

“Ky është një hap i madh përpara drejt një administrate publike moderne. Falë Meta-Regjistrit, shkëmbimi i të dhënave ndërmjet institucioneve bëhet më i shpejtë dhe më i sigurt, çka ndihmon në reduktimin e burokracisë. Qytetarët dhe bizneset do të kenë qasje në shërbime më të shpejta, më të thjeshta dhe më të aksesueshme – të gjitha në një vend,” theksoi Dukaj.

Ministri gjithashtu u bëri thirrje të gjitha institucioneve që të dërgojnë të dhënat për regjistrat e tyre dhe të përfshihen në këtë projekt të rëndësishëm të transformimit digjital.

“Së bashku po ndërtojmë një administratë publike të përgjegjshme, transparente dhe efikase – për ju dhe me ju,” theksoi Dukaj.

SHARE