Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.
Ajo i ka bërë këto komente pas një takimi me përfaqësues të disa organizatave joqeveritare, më të cilët ka diskutuar për moskonstituimin e Kuvendit dhe ndikimin që ka kjo situatë në funksionimin e institucioneve demokratike dhe në jetën e qytetarëve.
“Presidentja Osmani u shpreh e gatshme që të vazhdojë të mbetet e hapur për dialog me shoqërinë civile, në funksion të ruajtjes së rendit demokratik dhe forcimit të institucioneve përfaqësuese të vendit”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca, pas takimit.
Deklaratat e Osmanit kanë ardhur të njëjtën ditë kur është shënuar dështimi i 27-të për konstituim të Kuvendit.
Kuvendi nuk po konstituohet pasi Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e votimit për kreun e ri të parlamentit, dhe për propozimin e LVV-së për këtë pozitë, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur së fundmi mundësinë që zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale të rregullta, të cilat pritet të shpallen në muajin tetor, si mundësi për zhbllokim të situatës.