SPAJIQ: ËSHTË KOHA PËR NJË MAL TË ZI VËRTET EKOLOGJIK DHE EVROPIAN

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johann Sattler, në një konferencë të mbajtur në Podgoricë, kanë nisur zyrtarisht fushatën kombëtare për mbrojtjen e mjedisit me sloganin “Ruaje që të të ruajë”.

Sot u dërgua një mesazh i fuqishëm përkushtimi ndaj nenit 1 të Kushtetutës së Malit të Zi, sipas të cilit Mali i Zi është shtet ekologjik.

“Fatkeqësisht, midis titullit ‘shtet ekologjik’ dhe realitetit të sotëm ekziston një hendek i madh. Pas nesh janë dekada që nga miratimi i Deklaratës së Zhablakut, gjatë të cilave duket se kemi pasur kohë për gjithçka, përveç për ruajtjen e vlerës që është burimi dhe potenciali ynë më i madh”, theksoi kryeministri Spajiq dhe shtoi:

“Ka ardhur koha që të përmbushim premtimet, të pranojmë standardet evropiane, të zbatojmë ligje të avancuara dhe të ndryshojmë praktikat. Është koha për të përmbushur dy premtime të mëdha dhe për të realizuar ëndrrën e brezave për një Mal të Zi ekologjik si anëtare e BE-së deri në vitin 2028.”

Kryeministri theksoi përforcimin e luftës kundër krimit ekologjik, përmes së cilës do të parandalohet ndotja pa ndëshkim dhe shfrytëzimi i paligjshëm.

Po ashtu, Qeveria do të vazhdojë të ndryshojë rregulloret për të reduktuar përdorimin e qeseve plastike dhe për të futur alternativa të qëndrueshme.

“Do të heqim deponitë e egra dhe do të sigurojmë që ato të mos rikthehen, përmes mbikëqyrjes, tabelave paralajmëruese dhe gjobave të ashpra. Po pastrojmë natyrën nga gomat e vjetra të makinave. Së shpejti do të arrijë një makinë speciale që do t’i kthejë këto mbetje të rrezikshme në lëndë të parë të gatshme për eksport – një përfitim shtesë. Ky është fillimi, koha e simbolikës ka kaluar. Ka filluar koha e veprimit konkret”, theksoi Spajiq.

Gjatë konferencës u mbajtën edhe tre panele me qëllim afirmimin e fushatës dhe theksimin e rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit.

SHARE