Foto: tpz.al
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u shpreh i bindur se anëtarët e NATO-s do ta pranojnë kërkesën e Donald Trump për një rritje të madhe të shpenzimeve , e cila më pas të finalizohet sipas tij në samitin e Hagës, në fund të këtij muaji.
Trump insiston tashmë që aleatët t’i rrisin investimet për mbrojtjen në nivelin e 5% të prodhimit të brendshëm bruto, nga 2% që ishte objektivi aktual. SHBA nënkupton tani se organizata e fuqishme ushtarake, duhet të jetë e përgatitur për luftë.
“Duhen më shumë sesa thjesht flamuj për të qenë një aleancë. Duhen formacione, e jo vetëm konferenca”-u shpreh Pete Hegseth, sekretar amerikan i mbrojtjes.
Dhe pikërisht paratë duket se do të përbëjnë boshtin e takimit të sotëm të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel. Teksa shumica e anëtarëve të aleancës tani shpenzojnë 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në mbrojtje, objektivi më i afërt i i radhës është 3.5 për qind, apo shpenzim për kapacitete ushtarake si janë tanket, raketat dhe municionet.
Sipas disa zyrtarëve të aleancës, vetëm Spanja ka problem me objektivin prej 3.5 për qind, por pritet të bëjë kompromise në takimin ministror. Spanja është një nga pak shtetet që ende nuk përmbush bazën e shpenzimeve prej 2 për qind, duke arritur vitin e kaluar vetëm më 1.28 për qind dhe rritja e shpenzimeve ushtarake që ishte parashikuar, duket se është bllokuar për momentin.
Janë edhe dy çështje që mund të mos zgjidhen shpejt: afati kohor për arritjen e qëllimit të shpenzimeve dhe mënyra e saktë se si të arrihet. Viti 2032 është përmendur, por afati mund të shtyhet deri më 2035, me zyrtarët që thonë se është joreale që çdo shtet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes para këtij afati, për shkak të rritjes së ulët ekonomike dhe deficitit të konsiderueshëm buxhetor me të cilin po përballen shtetet anëtare.