Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, organizuan konferencën „Komunat për BE – Ndikimi i integrimeve evropiane në vetëqeverisjet lokale në fushën e mbrojtjes së mjedisit“.
„Jam i sigurt që përfshirja, dialogu dhe partneriteti janë kushti i parë për zbatimin e suksesshëm të politikave publike në nivel lokal. Ky ishte edhe motivi që, në bashkëpunim me Shoqatën e Komunave, ministritë e tjera dhe me mbështetjen e fortë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, të nisnim projektin „Komunat për BE“.
Me këto fjalë nisi fjalimin e tij në konferencën për formimin e rrjeteve tematike për mjedisin ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.
Ministri Dukaj u përqendrua te sfidat që janë identifikuar në Analizën e funksionimit të vetëqeverisjeve lokale.
“Një nga sfidat më serioze që u identifikua atëherë ishte marrëdhënia e pazhvilluar mjaftueshëm midis pushtetit qendror dhe atij lokal – për shembull, politikat publike shpesh hartoheshin pa konsultime me ata që më pas duhet t’i zbatojnë. Një praktikë e tillë nuk ishte vetëm problem politik, por edhe pengesë serioze për funksionalitetin e sistemit,” tha Dukaj, duke shtuar: “Pa ndryshim të qasjes nuk ka reforma thelbësore. Qasja është ajo që bën diferencën midis transformimit deklarativ dhe atij real dhe reformës.”
Panelin në nivel të lartë, përveç ministrit të Administratës Publike, Marash Dukaj, e hapën edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johann Sattler, si dhe ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq.