KOMISIONI I JASHTËM NË PARLAMENTIN EUROPIAN MIRATOI RAPORTIN PËR SHQIPËRINË

Foto: Reuters

Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian miratoi raportin për Shqipërinë.

Me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 asbtenime dokumenti i përgatitur nga raportuesi Andreas Schieder i kaloi Parlamentit për miratim.

“Shqipëria mund të quhet me krenari një ‘në krye’ midis kandidatëve për anëtarësim në BE. Por ne nuk jemi ende në vijën e finishit. Është thelbësore të vazhdojmë në këtë rrugë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke luftuar korrupsionin dhe duke forcuar sundimin e ligjit,” tha ai.

Përmes raportit eurodeputetët përshëndesin ecurinë e reformave në vend për integrimin në Union.

Në dokumetin e përgatitur kërkohet përshpejtimi i reformave me qëllim anëtarësimin brenda vitit 2030.

Raporti vëren polarizimin e vazhdueshëm politik të karakterizuar nga retorikë konfrontuese dhe bën thirrje për dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimin e huaj keqdashës, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, i cili kërcënon institucionet demokratike të Shqipërisë dhe ambiciet e anëtarësimit në BE.

Ata bëjnë thirrje për një qëndrueshmëri më të madhe institucionale ndaj abuzimeve me financimin politik, manipulimit të medias dhe kërcënimeve kibernetike.

Ndërkohë mirëpresin Programin e ri prej 922 milionë eurosh për Reformën dhe Rritjen, i dedikuar për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbështesë Axhendën e Reformave të Shqipërisë sapo të përmbushen kushtet.

Hapja e zyrës së antenës së Parlamentit Europian në Tiranë shihet si një hap jetësor për të forcuar lidhjet midis BE-së, institucioneve lokale dhe partnerëve të shoqërisë civile nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Raporti pasqyron edhe zgjedhjet parlamentare të majit 2025, duke i përshkruar ato si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime mbi përdorimin e burimeve administrative.

Eurodeputetët u bëjnë thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venedikut.

Progresi i bërë me reformat gjyqësore dhe hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë janë të mirëpritura, megjithëse ndërhyrja politike mbetet një sfidë.

Eurodeputetët bëjnë thirrje për përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur pavarësinë gjyqësore dhe për të rritur llogaridhënien.

SHARE