Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq tha se hyrja e Malit të Zi në tregun unik evropian është thelbësore për ekonominë e Malit të Zi.
Ai për gazetën ekonomike më me ndikim NIKKEI (Nihon Keizai Shimbun), e cila është gjithashtu pronare e Financial Times-it britanik, foli për rezultatet dhe planet e Qeverisë, si dhe për pozicionin e Malit të Zi ndaj temave të rëndësishme globale.
Spajiq theksoi se synimi i Malit të Zi është të përfundojë sa më shpejt integrimin evropian.
“Duam të përfundojmë negociatat për anëtarësim në BE deri në vitin 2026 dhe të bëhemi anëtarja e 28-të e BE-së në vitin 2028. Vetëm gjatë një viti e gjysmë kemi bërë përparim të konsiderueshëm. Edhe pse kanë mbetur më shumë se 20 kapituj, jam i bindur se do t’i përfundojmë negociatat me kohë. Dallimi mes një tregu me 500 milionë banorë si BE-ja dhe një tregu me rreth 500 mijë siç është yni – është një mijëfish. Prandaj, hyrja në tregun unik evropian është kyçe për ekonominë malazeze,” tha kryeministri.
Në intervistë theksohet se Mali i Zi, ndër të tjera edhe për shkak të përbërjes së tij etnike, mund të ketë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon dhe se si i tillë mund të ndërmjetësojë në integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Në Mal të Zi nuk ka shumicë absolute etnike – rreth 41% janë malazezë, rreth 32% serbë, pastaj boshnjakë, shqiptarë etj. Nëse Mali i Zi hyn në BE, mund të bëhet një urë e vërtetë drejt vendeve të tjera të Ballkanit,” shkroi Spajiq.
Ai shprehu mbështetje për bashkëpunimin mes Japonisë dhe NATO-s dhe përshkroi Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re si “partnerë me vlera të përbashkëta” në Indo-Paqësor, duke shprehur mbështetje të plotë për bashkëpunimin mes Japonisë dhe NATO-s sepse Japonia është “miku më i mirë i Evropës.”
Në kontekstin e sigurisë globale dhe ruajtjes së paqes, kryeministri theksoi rëndësinë e konceptit japonez “Ba”, të bazuar në filozofinë e Nishida Kitaro-s dhe teoritë menaxheriale të Ikujiro Nonaka-s, i cili ka të bëjë me rëndësinë e ndërveprimit të ndërsjellë dhe harmonisë ndërmjet njerëzve.
“Në vendet mesdhetare, njerëzit janë shpesh shumë përjashtues, por në Japoni mësova se si të gjithë mund të kontribuojnë me mendimet e tyre dhe megjithatë të ruhet harmonia dhe bashkëpunimi,” theksoi Spajiq.