Foto: Ilustrim
SHPK „Deponia“ Podgoricë ka njoftuar në rrjetet sociale se më 12, 13 dhe 16 qershor do të organizohet një aksion për mbledhjen e librave dhe fletoreve të vjetra në shkollat fillore, të cilat më pas do të dërgohen për riciklim.
“Edhe këtë vit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe Shoqatën ‘Prindërit’, organizojmë aksionin për mbledhjen dhe riciklimin e librave dhe fletoreve të vjetra në shkollat fillore me moton ‘Dija nuk hidhet’”, shkruan në njoftim.
Sipas njoftimit të tyre, nxënësit do të mund të sjellin në shkollë librat dhe fletoret e vjetra më 12, 13 dhe 16 qershor, pas së cilës SHPK „Deponia“ do të fillojë aksionin e mbledhjes.
“Në aksion janë përfshirë të gjitha shkollat e regjionit qendror, ndërsa në veri dhe jug janë përfshirë vetëm shkollat qytetare,” theksuan ata.
Sipas tyre, kjo nismë parandalon që librat dhe fletoret e vjetra të përfundojnë në deponi ilegale apo në vendgrumbullime sanitare, duke u dhënë atyre një qëllim të ri përmes riciklimit.
“Në këtë mënyrë ndikojmë pozitivisht në ndërgjegjësimin për rëndësinë e riciklimit dhe mbrojtjes së mjedisit tek nxënësit, prindërit dhe mësuesit,” thuhet në njoftim.