Foto: Qendra Shëndetësore e Kryeqytetit
Qendra Shëndetësore e Kryeqytetit njoftoi nisjen e një projekti pilot që ka për qëllim përmirësimin e shëndetit të pacientëve me sëmundje kronike.
“Projekti synon të forcojë rolin e shërbimit patronazhi si zgjatje e dorës së mjekëve të familjes në zbatimin e masave të parandalimit sekondar. Në kuadër të këtij projekti pilot, teknikët patronazhistë të Qendrës Shëndetësore të Kryeqytetit do të vizitojnë një numër të caktuar pacientësh që vuajnë nga hipertensioni dhe diabeti, e që gjatë vitit të fundit nuk kanë vizituar mjekun e tyre të zgjedhur”, thuhet në njoftim.
Qëllimi i projektit është, sipas tyre, përfshirja aktive e shërbimit të patronazhit në ndjekjen dhe edukimin e pacientëve me sëmundje kronike.
“Përmes vizitave në shtëpi, teknikët patronazhistë do të kontrollojnë gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit, do të kontribuojnë në kuptimin më të mirë të sëmundjes dhe rëndësinë e përdorimit të rregullt të terapisë, do t’i motivojnë pacientët për kontrolle të rregullta te mjeku i tyre, si dhe do të japin këshilla për mënyra të shëndetshme jetese dhe parandalimin e komplikimeve”, thuhet më tej në deklaratë.
“Rezultatet e këtij projekti pilot pritet të shërbejnë si bazë për një zgjatje të mundshme të modelit në një popullatë më të gjerë”, thuhet në deklaratë.