Foto: Kuvendi i Shqipërisë
Në Kosovë po mbahet Forumi i 3-të Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku e pranishme ishte edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, që e cilësoi aktivitetin një nismë të guximshme të udhëhequr nga arsyetimi që përfshirja e grave nuk është një element opsional i zhvillimit dhe paqes, por është vetë themeli i tyre. S
piropali kujtoi se forumi mbahet në vendin ku plagët dhe traumat e luftës, tragjeditë që kanë përjetuar gratë, vajzat dhe fëmijët e pafajshëm të Kosovës, janë ende shumë të gjalla.
“Në rajonin tonë ne të gjithë e dimë fare mirë çmimin e tmerrshëm të konflikteve, dhe pikërisht për këtë edhe fuqinë e madhe të pajtimit. Megjithatë, ekziston një e vërtetë e hidhur: gratë dhe fëmijët janë ata që paguajnë gjithmonë çmimin e rëndë të luftërave dhe konflikteve. Por ne gjithashtu e dimë që gratë, kur i është dhënë mundësia, e për më tepër kur janë fuqizuar, kanë qenë faktor ndryshimi, arkitekte të paqes dhe kompasi moral i shoqërive tona. Prandaj Kosova, me mençurinë e saj, pavarësisht mizorive të tmerrshme që ka kryer regjimi i Millosheviqit, nuk ra kurrë në grackën e hakmarrjes; Përkundrazi, punoi pa u lodhur për ta kthyer dhimbjen në forcë, punoi për ti dhënë fund luftrave dhe për të shmangur konfliktet, investoi tek liria dhe sovraniteti i kombeve dhe popujve. Realiteti i sotëm, ky forum, flasin vetë. Ata përkthejnë dhe pasqyrojnë dëshirën e madhe të Kosovës, ndjenjën e thellë të humanizmit, angazhimin e saj për paqen, për fuqizimin e grave në çdo fushë të jetës, përfshi rolin e tyre si paqebërëse dhe sigurigarantuese”.
Kryeparlamentarja foli edhe për kontributin e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, në periudhën 2022-2023, që bëri prioritet parësor vendosjen e Grave, Paqes dhe Sigurisë gjatë mandatit të saj.
“Kemi punuar papushim për të nxitur zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe të rezolutave të mëpasshme, e cila këtë vit shënoi 25 vjetorin e saj. Kemi avokuar për integrimin e zërit të grave në parandalimin e konflikteve, negociatat e paqes dhe rindërtimin pas konflikteve. Dhe riafirmuam nga skena botërore se barazia gjinore nuk është një çështje dytësore. Ajo është themelore për paqen dhe sigurinë botërore. Dëshiroj të theksoj se gjatë Presidencës Shqiptare të Këshillit të Sigurisë, Shqipëria e kishte prioritet që zërat e Kosovës të ishin të pranishëm dhe të dëgjoheshin”.