KUVENDI I KOSOVËS NUK KONSTITUOHET EDHE PAS PËRPJEKJES SË 25-të ME RADHË

Foto: AA

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet pas dështimeve që të bëhen votat e mjaftueshme për votimin e kryetarit të këtij institucioni, edhe pas përpjekjes së 25-të me radhë, raporton Anadolu.

Shumica e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk e mbështetën krijimin e një Komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëm 51 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.

“Nuk kemi kuorum, ndërpritet seanca, më 4 qershor në orën 11:00 shihemi përsëri”, theksoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Partia e dytë më e madhe, Partia Demokratike të Kosovës (PDK), ka përsëritur se LVV-ja duhet ta ndërrojë kandidaten për kryetar të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ta mbështesin votimin e kryeparlamentarit. Por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

SHARE