Foto: rde.al
Në më shumë se 30 qytete të Serbisë janë mbajtur protesta të organizuara nga studentët, të cilët përmes bllokadave dhe thirrjeve publike kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kjo thirrje erdhi shtatë muaj pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona dhe një tjetër mbeti rëndë i plagosur. Në Beograd, protestuesit bllokuan urat kryesore, si Gazela dhe Ura e Brankos, duke brohoritur: “Duam drejtësi, duam të vërtetën, duam zgjedhje”.
Në Novi Sad, studentët e Fakultetit Juridik dhe qytetarët bllokuan pikat lidhëse kryesore të qytetit.
Në fjalimet e tyre, ata kërkuan transparencë, respektim të Kushtetutës dhe llogaridhënie nga pushteti. Në shumë qytetë janë mbajtur fjalime të unifikuara me kërkesa të qarta për zgjedhje dhe drejtësi.
Kryetarja e Kuvendit serb Ana Bërnabiç, e quajti protestën “pa kuptim dhe të dhunshme”, ndërsa presidenti serb njoftoi se zgjedhjet do të mbahen brenda një viti e gjysmë.
Studentët, megjithatë kanë theksuar se nuk tërhiqen dhe vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë e ndodhur dhe reforma në sistemin politik.