KOMUNA E ULQINIT U BËRI THIRRJE DEPUTETËVE QË TË MOS MIRATOJNË MARRËVESHJEN ME EBA

Foto: Komuna e Ulqinit

Në një konferencë për media të mbajtur sot në Ulqin, përfaqësuesit e Komunës i bënë thirrje deputetëve të Parlamentit të Malit të Zi që të mos miratojnë Marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila pritet të votohet më 29 maj.

Komuna theksoi se ky apel nuk është politik, por institucional dhe qytetar, duke u bazuar në përgjegjësinë ndaj të ardhmes së komunitetit dhe vendit.

Përfaqësuesit e Komunës nënvizuan shqetësimet serioze që kjo marrëveshje ka ngritur jo vetëm në nivel lokal, por edhe në instancat më të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, duke përmendur rezerva nga Presidenti i Malit të Zi, Bashkimi Evropian dhe shoqëria civile mbi transparencën, qëndrueshmërinë dhe ndikimin afatgjatë të saj.

Komuna e Ulqinit theksoi se nuk është kundër investimeve, përkundrazi, ajo mbështet zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm, por këto duhet të jenë në përputhje me interesin publik, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe standardet evropiane.

„Komuna e Ulqinit, subjektet politike pjesëmarrëse në Kuvendin tonë, deputetët tanë, sektori civil dhe qytetarët e komunitetit tonë, kur bëhet fjalë për Marrëveshjen që na është propozuar, janë të bashkuar dhe flasin me një zë të vetëm. Qëndrimi ynë është paraqitur qartë dhe në mënyrë të vendosur ndaj opinionit në Mal të Zi, Qeverisë, Presidentit, përfaqësive dhe zyrave diplomatike, Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë,“ theksuan përfaqësuesit e komunës së Ulqinit në konferencë për media.

Përveç apelit për mosmiratimin e marrëveshjes, Komuna informoi edhe për masat e marra për përgatitjet e sezonit turistik, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës publike, pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve, promovimin e potencialeve turistike, mbështetjen e biznesit lokal, organizimin e aktiviteteve kulturore, rritjen e sigurisë dhe përfshirjen aktive të komunitetit lokal.

Në fund, Komuna e Ulqinit u bëri thirrje qytetarëve, institucioneve dhe bizneseve që të angazhohen së bashku për të garantuar një sezon turistik të suksesshëm dhe për të prezantuar qytetin me krenari dhe mikpritje ndaj vizitorëve vendas dhe të huaj.

SHARE