SPAJIQ HAPI FORUMIN E BIZNESIT NË OSAKA – FTESË KOMPANIVE JAPONEZE PËR TË INVESTUAR NË MAL TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, hapi sot në Osaka Forumin e Biznesit, të organizuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi dhe Organizata Qeveritare Japoneze për Tregti të Jashtme (JETRO), ku morën pjesë mbi 50 kompani japoneze.

Kryeministri theksoi se ekziston një potencial i madh për bashkëpunim ekonomik mes Malit të Zi dhe Japonisë, në fusha si infrastruktura, energjetika, logjistika, turizmi dhe teknologjitë e informacionit.

Ai shtoi se Mali i Zi do të investojë fuqishëm në 10 vitet e ardhshme në zhvillimin e infrastrukturës, veçanërisht në ndërtimin e autostradave dhe rrugëve të shpejta, si dhe në modernizimin e hekurudhave, përfshirë blerjen e trenave të rinj dhe përmirësimin e Portit të Tivarit.

Kryeministri i ftoi kompanitë japoneze të shqyrtojnë këto mundësi, duke theksuar se tani është momenti më i mirë për të investuar në Mal të Zi.

Spajiq theksoi se reformat e ndërmarra e kanë bërë ekonominë më konkurruese, dhe se projektet në infrastrukturë, energji, turizëm, ekologji dhe teknologji të avancuara do të japin një shtysë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.

Në fjalimin drejtuar bizneseve japoneze, ai theksoi se Mali i Zi është një destinacion i sigurt për investime, me mjedis të qëndrueshëm biznesi dhe politikë tatimore shumë stimuluese.

“Me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Mali i Zi do të bëhet pjesë e tregut unik evropian, gjë që do të rrisë ndjeshëm atraktivitetin e ekonomisë sonë dhe do të bëhet motor i rritjes dhe zhvillimit dinamik ekonomik,” theksoi Spajiq.

SHARE