Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Reformimi i legjislacionit zgjedhor është një nga çështjet më të rëndësishme që Kuvendi duhet të miratojë, ka theksuar kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, gjatë një takimi me delegacionin e Komitetit për Buxhet të Parlamentit Evropian, që po qëndron për vizitë në Mal të Zi.
“Së fundmi, në kuadër të shumicës parlamentare kemi shqyrtuar mundësinë që Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve të miratohet deri në fund të korrikut. Kjo do të varet edhe nga bisedimet me opozitën, por besoj se do të mund ta përfundojmë këtë,” deklaroi Mandiq.
Ai theksoi se Mali i Zi ka privilegjin që ambicien për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian e mbështesin 80 për qind e qytetarëve dhe se në Parlament nuk ka asnjë parti politike që është kundër kësaj rruge.
“Do të rikujtoj planin që deri në fund të vitit 2026 të mbyllen të gjitha kapitujt, në mënyrë që Mali i Zi të jetë i gatshëm për anëtarësim në BE deri në vitin 2028. Në këtë kontekst, e theksoj rolin e Parlamentit, ku janë miratuar mbi 300 akte të harmonizuara me legjislacionin evropian. Parlamenti, në bashkëpunim me ministren e Integrimeve Evropiane, planifikon të shënojë ligjet me flamurin blu me qëllim që të përshpejtohet dhe të bëhet më efikase miratimi dhe zbatimi i ligjeve që janë të nevojshme për mbylljen e kapitujve,” deklaroi Mandiq.
Ai shtoi se është e rëndësishme që që tani të fillojë përgatitja për hartimin e projekt-marrëveshjes për anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe se do të kishte shumë rëndësi mbështetja nga Parlamenti Evropian në këtë proces.
Sipas njoftimit nga Kuvendi, Mandiq e informoi delegacionin edhe për problemin e krimit të organizuar dhe përkujtoi ndjekjen penale të figurave kyçe nga policia dhe drejtësia, duke theksuar se kjo është vetëm sipërfaqja e problemit dhe se janë të nevojshme reforma në sistemin gjyqësor për të adresuar këtë problem dhe për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që kanë lidhje me krimin.
Në interesimin e anëtarëve të Komitetit për Buxhet të Parlamentit Evropian, Mandiq ritheksoi se reforma e ligjit zgjedhor është një nga çështjet më të rëndësishme për Kuvendin.
Kryetari i Komitetit për Buxhet në Parlamentin Evropian, Johan Van Overtveld, deklaroi se janë në vizitë në Mal të Zi për tre tema kryesore: zbatimi i instrumentit për reforma dhe rritje, zbatimi i mbështetjes para-anëtarësimit dhe projekteve të financuara nga BE, si dhe përgatitja e Malit të Zi për anëtarësim në BE.
“Dua të lavdëroj përparimin e Malit të Zi në rrugën drejt BE-së dhe gjithçka që ka ndodhur gjatë vitit të kaluar. Llogarisim tek ju që ta çoni këtë proces deri në fund dhe ju urojmë fat në këtë rrugë,” deklaroi Van Overtveld.