DIPLOMATËT E BE-së NISËN DISKUTIMET PËR KAPITULLIN 5 ME MALIN E ZI

Foto: Reuters

Diplomatët në grupin punues për zgjerim të Këshillit të BE-së (COELA) kanë filluar diskutimet për Kapitullin 5 – prokurimet publike, të cilin Mali i Zi synon ta mbyllë deri në fund të qershorit.

Sipas burimeve diplomatike që kanë marrë pjesë në takim, të cilave u referohet RTMZ, diskutimi ishte konstruktiv dhe, brenda bisedimeve parimore, është përmendur edhe marrëveshja që Mali i Zi ka nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Bisedimet për Kapitullin 5 në kuadër të grupit punues për zgjerim do të vazhdojnë javën e ardhshme.

Kryenegociatori i Malit të Zi me BE-në, Predrag Zenoviq, theksoi se Rezoluta për Malin e Zi, e paraqitur së fundmi në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, konfirmon se Mali i Zi është lider në procesin e zgjerimit të BE-së dhe se është e domosdoshme të vazhdohet me reformat.

Sipas tij, vlerësimi i përgjithshëm mbetet pozitiv dhe inkurajues.

Plani fillestar është që gjatë këtij viti të mbyllen gjashtë kapituj, me mundësi që ky numër të jetë edhe më i lartë.

Në emisionin “Të jemi vigjilentë – pyesni Qeverinë” në RTMZ, Zenoviq deklaroi se plani fillestar për anëtarësimin në BE deri në vitin 2028 është ende në fuqi dhe i mundshëm, ndonëse ambicioz.

“Komisioni Evropian e konstaton këtë dhe është shumë e rëndësishme të vazhdojmë të ndjekim planin, madje edhe ta përshpejtojmë atë,” deklaroi Zenoviq më herët.

SHARE