SPAJIQ: PJESËMARRJA E MALIT TË ZI NË EXPO 2025 ËSHTË NJË FILLIM I MIRË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq deklaroi se hapësira e Malit të Zi në Expo 2025 në Japoni ishte e vogël për të pritur numrin e madh të vizitorëve të interesuar.

Spajiq, i cili iu drejtua të pranishmëve në japonisht, theksoi se Mali i Zi e shënon Ditën Kombëtare në EXPO vetëm disa ditë pas festës së madhe shtetërore – 21 Maji, Dita e Pavarësisë.

Ai ndër të tjera tha: “Për Malin e Zi është me rëndësi thelbësore që në kohë sfidash globale të ndjekë një drejtim zhvillimi të bazuar në dije. Japonia është shembulli më i mirë për këtë. Prandaj, jam i bindur se ka ardhur koha që marrëdhëniet mes dy vendeve tona, të cilat së shpejti do të arrijnë gati një shekull e gjysmë, t’i thellojmë në shumë fusha me interes të përbashkët.”

Duke vënë në dukje se fokusi i EXPO-s këtë vit është te inovacioni, qëndrueshmëria dhe gjithëpërfshirja, kryeministri theksoi se kjo përputhet plotësisht me orientimin strategjik të Malit të Zi drejt zhvillimit të zgjuar dhe të qëndrueshëm.

“Më lejoni të theksoj se jemi të bindur fort që inovacioni dhe dija janë themeli i zhvillimit të çdo shoqërie, dhe fazën e fundit drejt realizimit të qëllimit tonë kryesor në politikën e jashtme – anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028 – jemi mbështetur fuqishëm mbi reformat në arsim, shkencë dhe inovacion,” tha ai.

Spajiq theksoi se pjesëmarrja e Malit të Zi në EXPO 2025, si edhe takimi i ardhshëm me kryeministrin japonez Ishiba, janë një fillim i mirë i një miqësie të shkëlqyer mes Malit të Zi dhe Japonisë. A

i shtoi gjithashtu se Dita Kombëtare e Malit të Zi në Expo 2025 u shënua me një performancë të shkëlqyer të divës sonë të operës, Tamara Ragjenoviq.

“Hapësira ishte e vogël për të pritur të gjithë të interesuarit, dhe kjo është edhe një dëshmi tjetër se pavijoni ynë, përveç mbi 100 mijë vizitorëve, po tërheq një interes të jashtëzakonshëm në këtë ekspozitë botërore. Pjesëmarrja e Malit të Zi në EXPO 2025 dhe takimi i ardhshëm me kryeministrin e Japonisë janë një fillim i mirë i një miqësie të shkëlqyer mes dy vendeve tona,” shkroi Spajiq në rrjetin X.

SHARE