URIME ME RASTIN E 21 MAJIT – DITËS SË PAVARËSISË

Foto: Lindon Gjelaj/Facebook/

Mali i Zi të mërkurën, më 21 maj, feston Ditën e Pavarësisë dhe 19 vjetorin që nga rikthimi i pavarësisë shtetërore nëpërmjet referendumit të vitit 2006.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë, urime kanë dërguar funksionarët dhe liderët e partive.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ka uruar qytetarët e Malit të Zi me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Në mesazhin e tij, Gjelaj ka shprehur urimet e tij për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe ka theksuar angazhimin për përparim dhe zhvillim të vazhdueshëm.

„Në emër të Komunës së Tuzit dhe në emrin tim personal, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi! Uroj që ky përvjetor të sjellë më shumë përparim për të gjithë qytetarët e Malit të Zi,“ ka thënë Gjelaj.

Ai ka shtuar se kjo ditë është një kujtesë e angazhimit të vazhdueshëm për ruajtjen e të arriturave të deritanishme dhe për avancimin e Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.

„Kjo datë na obligon të vazhdojmë të punojmë që Mali i Zi të mbetet i palëkundur në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian si një vlerë themelore demokratike,“ ka theksuar kryetari i Komunës së Tuzit.

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka uruar qytetarët e Malit të Zi, me rastin e 21 Majit – Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi.

„Le të punojmë së bashku që Mali i Zi të shënojë Ditën e Pavarësisë në vitin 2028 si anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, me një ekonomi të zhvilluar, infrastrukturë të modernizuar, mundësi të shumta për progres dhe prosperitet gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët,“ thuhet në urimin e Gjeloshajt.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka uruar Ditën e Pavarësisë:

“U uroj të gjitha qytetareve dhe qytetarëve të Malit të Zi 21 maj – Ditën e Pavarësisë. Për një Mal të Zi të shëndetshëm dhe prosperues europian, për një të nesërme më të mirë për të gjithë ne!”

Në emër të Ministrisë së Administratës Publike dhe në emrin tim personal, u uroj Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi të gjitha qytetareve dhe qytetarëve, si dhe diasporës sonë, ka thënë ministri Marash Dukaj.

„Rivendosja e pavarësisë së vendit tonë na dha mundësinë që të marrim fatin tonë në duart tona dhe të punojmë së bashku për ruajtjen e lirisë. Le të na kujtojë ky festim se, për të mirën e të gjithë shoqërisë dhe secilit prej nesh, është e domosdoshme të respektojmë dhe të kultivojmë ato vlera që na bashkojnë, dhe dallimet mes nesh t’i kuptojmë si pasuri e jona,“ ka thënë ai.

Të bashkuar rreth këtij vetëdijësimi dhe këtyre vlerave, shtoi Dukaj, do t’i realizojmë më mirë dhe më me efikasitet të gjitha detyrat në përfundimin me sukses të integrimit tonë në Bashkimin Evropian.

„Le ta ndërtojmë me forcat tona të përbashkëta shtetin tonë dhe një jetë më të mirë për ne dhe, sidomos, për ata që vijnë pas nesh,“ ka theksuar ministri Dukaj.

SHARE