Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, theksoi se Dita e Evropës na kujton parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar Evropa moderne – solidaritetin, bashkëpunimin, lirinë e lëvizjes, shkëmbimin e ideve dhe dijes.
Millatoviq ka biseduar sot me të rinjtë që kanë qenë pjesëmarrës në programin Erasmus si studentë, në kuadër të 9 majit – Ditës së Evropës, duke theksuar se programi Erasmus është një mundësi e jashtëzakonshme për lidhjen e të rinjve, përfitimin e njohurive të reja dhe eksperiencave të çmuara.
Ai shtoi se Erasmus, përveç se është një program arsimor, përfaqëson një simbol të Evropës së bashkuar – një Evropë pa kufij, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, solidaritet dhe mirëkuptim reciprok.
Në këtë kuadër, ai theksoi se programet e tilla luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e vlerave evropiane te të rinjtë, duke i inkurajuar ata të mendojnë hapur, të bashkëpunojnë dhe të kontribuojnë në mënyrë aktive në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
Ai rikujtoi se edhe vetë ka pasur privilegjin të jetë pjesë e programit Erasmus, duke shtuar se kjo përvojë ka pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tij profesional dhe personal.
Millatoviq theksoi gjithashtu se arsimi është themeli i çdo shoqërie që synon përparim dhe sukses, dhe se të rinjtë janë burimi më i çmuar i shtetit tonë.
Ai tha se arsimi i tyre dhe angazhimi aktiv shoqëror janë çelësi për ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë për vendin tonë.
Në këtë kuadër, ai ftoi të rinjtë që të vazhdojnë arsimimin e tyre, të angazhohen në jetën shoqërore dhe, duke vepruar kështu, të japin kontributin e tyre të vyer në zhvillimin e komuniteteve të tyre.