Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Me qëllim të shkëmbimit të mendimeve dhe nxitjes së dialogut mes vendimmarrësve dhe juristëve të ardhshëm, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, sot mbajti një ligjëratë për reformat në administratën publike në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin ‘Mediteran’.
Ministri Dukaj shprehu bindjen se studentët dhe studentet janë bartës të prosperitetit dhe se shkëmbimi i sotëm i pikëpamjeve dhe mendimeve për administratën publike ishte kohë e shpenzuar në mënyrën e duhur.
Interesi i intelektualëve të rinj është një kontribut për demokratizimin e shoqërisë dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Administrata publike është kudo rreth nesh. Ajo nuk është vetëm administratë, është mënyra e jetesës së çdo individi dhe e gjithë neve së bashku,” tha Dukaj.
Duke folur për qëllimin që të kontribuojmë së bashku në ndryshime dhe të sigurojmë një të ardhme më të begatë për të rinjtë, ai theksoi: ‘Ju nuk jeni thjesht studentë të drejtësisë– ju jeni bartës të ndryshimeve të ardhshme. Njohuritë tuaja, inovacionet dhe parimet etike do të formësojnë jo vetëm administratën publike, por edhe shoqërinë në tërësi’.
U prezantuan fushat kyçe të reformës, sfidat dhe arritjet e deritanishme.
Sipas kompetencave të Ministrisë së Administratës Publike, u paraqitën rezultatet në fushën e reformave ligjore, digjitalizimit, sigurisë kibernetike, përmirësimit të kompetencave të punonjësve, si dhe përfshirjes inkluzive të sektorit të OJQ-ve dhe qytetarëve në proceset e reformave.
Ministri theksoi se me reformën planifikohet lehtësimi i ngarkesës për punonjësit, ndërkohë që njëkohësisht do të rriten standardet dhe transparenca në procesin e punësimit.
Më pas u theksua se administrata publike është e hapur për juristët e ardhshëm që dëshirojnë të kontribuojnë në ndryshime përmes angazhimit të tyre profesional.