Foto: Presidenca e Kosovës
Ka dështuar për të 12-tën herë me radhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës në mungesë të votave të mjaftueshme.
Për të tretën herë me radhë, seanca nisi me votimin për krijimin e një Komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të pozitës së Kryeparlamentarit. Por shumica e partive e kundërshtuan këtë komision duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.
Nga 113 deputetë të pranishëm në sallë, 56 deputetë votuan pro këtij komisioni, një deputet ishte kundër dhe asnjë abstenim.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se Kushtetuta obligon deputetët që të votojnë, pro, abstenojnë ose të votojnë kundër, por jo edhe ta bojkotojnë procesin.
Ai tha se në mungesë të votave të mjaftueshme, seanca shtyhet për 9 maj nga ora 10:00.
– Reagojnë deputetët e minoriteteve për propozimin “qeveri vetëm me parti shqiptare”
Kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se po vazhdon abuzimi i të drejtës së partisë së parë për ta zgjedhur kandidatin për Kryeparlamentar.
Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë shtetin peng dhe po mban peng formimin e institucioneve të reja.
Lëvizja Vetëvendosje këtë javë i dërgoi ftesë për koalicion Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por ajo refuzoi këtë ftesë, duke propozuar një qeveri tranzicionale me të gjitha partitë shqiptare, deri në kohën kur do të zgjidhet edhe presidenti i ri i vendit. Pritet që sot të bëhet e qartë qëndrimi i të gjitha partive.
Ndërkohë, për këtë ftesë, reaguan deputetët e minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, Elbert Krasniqi, Fikrim Damka, Emilja Rexhepi dhe Nenad Rashiq, të cilët thanë se qasja e LDK-së për një qeveri vetëm me parti shqiptare është përjashtuese dhe jo në frymën multietnike të Kosovës.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.