MALI I ZI KA AVANCUAR PËR TRE VENDE NË INDEKSIN E LIRISË SË MEDIAVE

Foto: Shutterstock

Mali i Zi ka avancuar për tre pozita në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RPK), duke u renditur në vendin e 37-të nga 180 vende.

Megjithatë, liria e medias në vend mbetet e rrezikuar nga presionet politike, ekonomike dhe mungesa e transparencës institucionale – thuhet në raportin vjetor të organizatës.

Reporterët pa Kufij vërejnë se, ndonëse ligji garanton lirinë e shprehjes dhe shpifja është dekriminalizuar, ekzistojnë ende boshllëqe ligjore sa i përket qasjes në informacion publik dhe mbrojtjes së burimeve gazetareske.

Kjo bën që pavarësia e mediave të mos jetë e mbrojtur sa duhet nga ndërhyrjet politike dhe ekonomike.

Raporti thekson se Mali i Zi ka një peizazh mediatik të dendur për një vend me vetëm 620 mijë banorë, me dhjetëra media të regjistruara, përfshirë televizione kombëtare publike dhe private.

Tre prej pesë rrjeteve televizive me mbulim kombëtar janë pjesërisht ose plotësisht në pronësi të huaj, kryesisht nga kompani të Serbisë fqinje – çka ngjall shqetësime për ndikim të jashtëm në politikën redaktoriale.

Raporti gjithashtu tërheq vëmendjen ndaj sulmeve të pazgjidhura ndaj gazetarëve, përfshirë rastin e vrasjes së Dushko JovanoviQ më 2004 dhe tentativën për vrasje të gazetares Olivera Lakiq më 2018.

Ndërkohë, gazetarët mbeten shpesh objekt i fushatave denigruese nga përfaqësues të pushtetit dhe opozitës.

Në kontekstin e përpjekjeve për anëtarësim në BE, Reporterët pa Kufij përshëndeten përpjekjet e qeverisë së re për të harmonizuar legjislacionin me standardet evropiane.

Ndër vendet e rajonit, më mirë se Mali i Zi janë renditur vetëm Sllovenia (33) dhe Maqedonia e Veriut (42), ndërsa Shqipëria ndodhet në vendin e 80-të, Bosnja dhe Hercegovina në 86, dhe Serbia në 96.

SHARE