Foto: Erkin Keçi / AA
Moskrijimi me kohë i institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ndikon negativisht edhe në procesin e integrimit evropian, kanë thënë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), raporton Anadolu.
GLPS ka vlerësuar se moskrijimi i një Qeverie funksionale tash e sa muaj, ndikon në të gjitha fushat e qeverisjes, por, sidomos në procesin e integrimit evropian dhe në aspektin ekonomik.
Hulumtuesi Besar Gergi, tha se prioriteti i Kosovës në fushën e integrimeve evropiane duhet të jetë Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, e miratuar nga ana e Qeverisë në shtator 2024, por që, ajo ka mbetur pa miratimin edhe në institucionin e Kuvendit të Kosovës, nga dhjetori i të njëjtit vit, kur i është dorëzuar këtij institucioni.
Ai thotë se në rast të mosratifikimit të kësaj marrëveshjeje deri në qershor të këtij viti, situata rëndohet edhe më shumë dhe ajo mund të kthehet në pikën zero sa i përket negocimit.
“Vonesat në këtë aspekt, aq më shumë një zvarritje deri pas qershorit, do t’i shkaktonin vendit dëm potencialisht qindra miliona euro dhe ky do të ishte një dëm i pariparueshëm historik”, theksoi Gergi, duke shtuar se vonesat në miratim mund të shkaktojnë edhe në vonesa të fondeve për Kosovën nga BE-ja.
Në këtë kontekst, Gregi shtoi se nga kjo marrëveshje Kosova mund të përfitojë deri në 883 milionë euro deri në fund të vitit 2027 që përbën një ngritje substanciale të fondeve të BE-së ndaj vendit.
– Dëmi i masave ndëshkuese të BE-së ka kaluar shifrën 100 milionë euro
Tutje, ai tha se Kosova e cila gjendet ende nën masat ndëshkuese të BE-së, ka pësuar humbje të mëdha ekonomike.
“Dëmi ekonomik i këtyre masave, me lehtësi e ka kaluar shifrën 100 milionë euro dhe rritet për çdo ditë që ato janë në fuqi. Në kohën kur BE-ja ka hapur një derë për zbutjen e efekteve të këtyre masave, është papërgjegjësi e rëndë politike mosshfrytëzimi i kësaj mundësie”, theksoi ai.
BE i vendosi masa ndëshkuese ekonomike Kosovës më 28 qershor 2023, për shkak të veprimeve të Qeverisë së Kosovës, të ndërmarra pa koordinim, në komunat në veri të Kosovës.