Foto: Shutterstock
Shefi i delegacionit të ÖVP-së në Parlamentin Evropian, Rajnhold Lopatka, deklaroi se për afirmimin e interesave austriake në Evropë është me rëndësi të madhe që një figurë udhëheqëse të jetë në krye të Partisë Popullore Evropiane.
“Magnus Bruner ka një portofol kyç në Komisionin Evropian, në fushën e migracionit, nga i cili varet shumë suksesi politik i Partisë Popullore Evropiane. Është shumë pozitive që, përveç përgjegjësisë së tij kryesore për migracionin në Komision, si nënkryetar i Partisë Popullore Evropiane, tani do të përfshihet edhe në punën e saj në një pozicion udhëheqës”, tha ai.
Në margjinat e Kongresit të kësaj partie, Lopatka u shpreh në favor të pranimit të anëtarëve të rinj në BE.
“Tani duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të avancuar zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Si raportues kryesor i Partisë Popullore Evropiane për Malin e Zi në Parlamentin Evropian, jam i bindur se mund ta pranojmë Malin e Zi brenda këtij mandati dhe kështu të rikthejmë BE-në në një bllok prej 28 shtetesh anëtare”, tha Lopatka, sipas një njoftimi për media.
Ai theksoi se negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi kanë avancuar mirë.
“Për herë të parë që nga pranimi i Kroacisë në vitin 2013, mund të zgjerojmë sërish BE-në dhe ta forcojmë atë. Ka ardhur koha që të kalojmë nga fjalët në vepra,” theksoi Lopatka.
Lopatka është raportues i Parlamentit Evropian për Malin e Zi nga radhët e Partisë Popullore Evropiane, grupi më i madh parlamentar në BE.