Foto: AA
Vatikani ka njoftuar se kardinalët nga e gjithë bota do të takohen muajin tjetër në një mbledhje sekrete, respektivisht në konklavën për të zgjedhur Papën e ardhshëm, pas vdekjes së Papa Françeskut, transmeton Anadolu.
Mbledhja me dyer të mbyllura do të fillojë më 7 maj brenda Kishëzes Sistine dhe do të përfshijë rreth 135 kardinalë.
Procesi zgjedhor, i mbushur me një traditë shekullore, vjen pasi Papa Françesku ndërroi jetë të hënën e Pashkëve.
Funerali i tij u mbajt të shtunën.
Nuk ekziston një afat kohor sa kohë mund të zgjasë konklava, por dy zgjedhjet e mëparshme papale, në vitet 2005 dhe 2013, përfunduan brenda dy ditësh.
Papa Françesku lindi në Buenos Aires më 17 dhjetor të vitit 1936, nga prindër emigrantë italianë.
Ai studioi në Argjentinë dhe më vonë në Gjermani para se të përcaktohet si prift jezuit në vitin 1969.
Pas më shumë se një dekade si Papë, ai mbeti një figurë admirimi dhe polemikash.
Papa Françesku kërkoi të reformojë burokracinë e Vatikanit, të luftojë korrupsionin dhe të adresojë disa nga sfidat më urgjente të kishës.
Papa u shtrua në një spital në Romë me bronkit në muajin shkurt, që u zhvillua në pneumoni dypalëshe. Ai u lirua pas 38 ditësh për të vazhduar shërimin e tij në rezidencën e tij në Vatikan.