SHTYHET SËRISH SEANCA KONSTITUIVE, LËVIZJA VETËVENDOSJE KËRKON MARRËVESHJE POLITIKE

Foto: Kuvendi i Kosovës

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për herë të pestë të hënën, pasi fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi marrëveshje politike.

Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të arsyeshme që në këtë seancë të propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë. Për këtë, ai kërkoi marrëveshje me partitë e tjera politike për çështjen e kryetarit të Kuvendit.

Pas kërkesës së Konjufcës, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se ajo do të vazhdojë pas 48 orëve.

Të rikujtojmë se, të shtunën, më 19 prill, u miratua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve dhe u bë betimi i deputetëve.

Kuvendi i Republikës së Kosovës vijoi pastaj me punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë, të filluar më 15 prill.

Pas një takimi konsultativ që kryesuesi Avni Dehari zhvilloi me përfaqësuesit e subjekteve politike, Kuvendi mandatoi serish komisionin e njëjtë që të bëjë verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, si dhe të hartojë raportin. 

Pas takimit, kryetari i komisionit, deputeti Artan Abrashi paraqiti raportin para deputetëve dhe i njëjti me 119 vota për u miratua nga ana e Kuvendit. 

Seanca vijoi punimet me betimin e deputetëve, të cilët gjithashtu nënshkruan deklaratën përkatëse. 

SHARE